Skip to content
Home » Nga Teurati: Bekimet dhe mallkimet

Nga Teurati: Bekimet dhe mallkimet

Ligji i Përtërirë 28:1 – 31:29

23 Qielli mbi kokën tënde do të jetë prej bakri dhe toka poshtë teje do të jetë prej hekuri.

24 Zoti do ta kthejë shiun e vendit tënd në rërë dhe pluhur, që do të bien mbi ty deri sa të shkatërrohesh.

25 Zoti do të të braktisë në disfatë dhe në masakër para armiqve të tu; do të dalësh kundër tyre nga një rrugë dhe do të largohesh prej tyre duke ua mbathur nëpër shtatë rrugë; dhe kështu do të bëhesh një objekt urrejtjeje nga ana e të gjitha mbretërive të dheut.

26 Kufomat e tua do t’u shërbejnë si ushqim tërë zogjve të qiellit dhe kafshëve të tokës, dhe askush nuk ka për t’i përzënë.

27 Zoti do të të godasë me ulcerën e Egjiptit, me hemorroidet, me zgjeben dhe me qerren, sëmundje nga të cilat nuk do të mund të shërohesh.

28 Zoti do të të godasë me marrëzinë, me verbërinë dhe me shushatjen e zemrës;

29 dhe do të ecësh me tahmin në mes të ditës, ashtu si ecën i verbëri në errësirë; nuk do të kesh mbarësi në rrugët e tua, por do të jesh vetëm i shtypur dhe i zhveshur vazhdimisht pa pasur ndihmën e askujt.

30 Do të fejohesh me një femër, por një burrë tjetër do të bjerë në shtrat me të; do të ndërtosh një shtëpi, por nuk do të banosh në të; do të mbjellësh një vresht, por nuk do të mbledhësh rrushin e tij.

31 Kau yt do të vritet para syve të tu, por ti nuk do të hash mishin e tij; gomarin tënd do të ta marrin në praninë tënde dhe nuk do të ta kthejnë; delet e tua do t’ua japin armiqve të tu dhe askush nuk do të të ndihmojë.

32 Bijtë e tu dhe bijat e tua do t’i jepen një populli tjetër; sytë e tu do të shikojnë dhe do të përgjerohen tërë ditën nga dëshira për t’i parë, dhe dora jote do të jetë pa fuqi.

33 Një popull që ti nuk e ke njohur, do të hajë frytin e tokës sate dhe të gjithë mundit tënd, dhe pa tjetër do të jesh i shtypur dhe i dërmuar vazhdimisht.

34 Do të çmëndesh para pamjes që do të shohin sytë e tu.

35 Zoti do të të godasë në gjunjët dhe në kofshët me një ulcer të keqe, nga e cila nuk do të mund të shërohesh, nga tabani i këmbëve deri në majë të kokës.

36 Zoti do të të çojë ty dhe mbretin tënd, që e ke vënë mbi ty, në një komb që as ti, as etërit e tu, nuk e keni njohur; dhe atje do t’u shërbeni perëndive të tjera prej druri dhe prej guri;

37 dhe do të bëhesh objekt habie, proverbi dhe talljeje në mes tërë popujve pranë të cilëve do të të çojë Zoti.

38 Do të çosh shumë farë në arë por do të korrësh pak, sepse karkaleci do ta gllabërojë.

39 Do të mbjellësh vreshta, do t’i punosh, por nuk do të pish verë as do të mbledhësh rrush, sepse krimbi do t’i hajë.

40 Do të kesh ullinj në të gjithë territorin tënd, por nuk do të lyesh me vaj, sepse ullinjtë e tu do të bien.

41 Do të të lindin bij dhe bija, por nuk do të jenë të tutë, sepse do të shkojnë në skllavëri.

42 Tërë pemët e tua dhe frytet e tokës sate do të jenë pre nga karkalecit.

43 I huaji që ndodhet në mes teje do të ngrihet gjithnjë e më lart mbi ty dhe ti do të biesh gjithnjë e më poshtë.

44 Ai do të të japë hua, por ti nuk do t’i japësh hua atij; ai do të jetë koka dhe ti bishti.

45 Të gjitha këto mallkime do të bien mbi ty, do të të ndjekin dhe do të të zënë deri sa të shkatërrohesh, sepse nuk iu binde zërit të Zotit, Perëndisë tënd, duke respektuar urdhërimet dhe statutet që ai të ka urdhëruar.

46 Ato do të jenë si një shenjë dhe si një mrekulli për ty dhe pasardhësit e tu, për gjithnjë.

47 Sepse nuk i ke shërbyer Zotit, Perëndisë tënd, me gëzim dhe hare në zemër për bollëkun në çdo gjë,

48 do t’u shërbesh armiqve të tu që Zoti do të dërgojë kundr teje, në një gjendje urije, etjeje, lakuriqësie dhe mungese të çdo gjëje; dhe ai do të vërë një zgjedhë të hekurt rreth qafës sate deri sa të të shkatërrojë.

49 Zoti do të sjellë kundër teje nga larg, nga skajet e dheut, një komb të shpejtë, si shqiponja që fluturon, një komb gjuhën e të cilit ti nuk do ta kuptosh,

50 një komb me një pamje të egër që nuk do të respektojë plakun dhe nuk do të ketë mëshirë për të voglin,

51 dhe do të hajë frytin e bagëtisë sate dhe prodhimin e tokës sate, deri sa të shkatërrohesh; dhe nuk do të lërë as grurë, as musht, as vaj as pjelljet e lopëve të tua ose pjelljet e deleve të tua, deri sa të të ketë shkatërruar.

52 Dhe do të rrethojë në të gjitha qytetet e tua, deri sa të rrëzohen në të gjithë vendin muret e larta dhe të fortifikuara te të cilat kishte besim. Do të të rrethojë në të gjitha qytetet e tua, në të gjithë vendin që Zoti, Perëndia yt, të ka dhënë.

53 Përveç kësaj gjatë rrethimit dhe në fatkeqësinë në të cilën do të të katandisë armiku yt, do të hash frytin e barkut tënd, mishin e bijve dhe të bijave të tua, që Zoti, Perëndia yt, të ka dhënë.

54 Njeriu më zemërbutë dhe më delikat do të ketë një zemër kaq keqdashëse ndaj vëllait të tij, ndaj gruas që pushon mbi kraharorin e tij e ndaj fëmijëve që ka akoma,

55 sa të mos i japë asnjerit prej tyre mishin e bijve të tij, që ai do të hajë për vete, sepse nuk do t’i mbetet asgjë gjatë rrethimit dhe në mjerimin në të cilin do ta katandisin armiqtë e tu në të gjitha qytetet e tua.

56 Gruaja më zemërbutë dhe delikate midis jush, që për delikatesën dhe elegancën e saj do të kishte guxuar të vendoste tabanin e këmbës në tokë, do të ketë një zemër keqbërëse ndaj burrit që pushon mbi gjirin e saj, ndaj djalit dhe vajzës së saj,

57 ndaj placentës që del nga barku i saj dhe ndaj fëmijëve që lind, sepse ajo do t’i hajë fshehurazi, për shkak se çdo gjë mungon gjatë rrethimit dhe për shkak të mjerimit të madh që do të pësosh nga armiqtë e tu në të gjitha qytetet e tua.

58 Po të mos kesh kujdes të zbatosh në praktikë të gjitha fjalët e këtij ligji, që janë shkruar në këtë libër, duke pasur frikë nga ky emër i lavdishëm dhe i tmerrshëm, Zoti, Perëndia yt,

59 atëherë Zoti do të lëshojë mbi ty dhe mbi pasardhësit e tu mjerime të papërshkrueshme, të mëdha dhe të zgjatura, si dhe sëmundje të këqija dhe të qëndrueshme;

60 përveç kësaj do të kthejë mbi ty të gjitha sëmundjet e Egjiptit, nga të cilat kishe frikë, dhe ato do të të ngjiten.

61 Edhe të gjitha sëmundjet dhe tërë fatkeqësitë e pashkruara në librin e këtij ligji, Zoti do t’i sjellë mbi ty, deri sa të shkatërrohesh.

62 Kështu do të mbeteni pak, mbasi keni qenë shumë si yjet e qiellit, sepse nuk i je bindur zërit të Zotit, Perëndisë tënd.

63 Dhe do të ndodhë që, ashtu si Zoti ndjente kënaqësi t’ju bënte të mirë dhe t’ju shumëzonte, po kështu Zoti do të ndjejë kënaqësi duke ju zhdukur dhe shkatërruar; dhe do t’ju rrëmbejnë nga vendi ku po hyni për ta pushtuar.

64 Zoti do të të shpërndajë midis tërë popujve, nga njeri skaj i tokës në tjetrin; dhe atje ti do t’u shërbesh perëndive të tjera, që as ti as etërit e tu nuk i keni njohur kurrë, perëndi prej druri dhe prej guri.

65 Dhe midis atyre kombeve nuk do të gjesh prehje dhe vend ku të pushojnë tabanët e këmbëve të tua; aty Zoti do të të japë një zemër të drithëruar, sy përgjërues dhe ankth në shpirt.

66 Jeta jote do të qëndrojë përpara pezull në pasiguri; do të dridhesh natën dhe ditën dhe nuk do të kesh asnjë siguri për qenien tënde.

67 Në mëngjes do të thuash: “Ah, të ishte mbrëmje!,” dhe në mbrëmje do të thuash: “Ah, të ishte mëngjes!,” për shkak të llahtarës që do të mbushë zemrën tënde dhe të pamjes që do të shohin sytë e tu.

68 Dhe Zoti do të të kthejë në Egjipt me anije, nëpër rrugën që të pata thënë: “Nuk do ta shohësh më kurrë!”. Dhe aty do t’ju ofrojnë armiqve tuaj për t’ju shitur si skllevër dhe si skllave, por askush nuk do t’ju blejë”.

29 Këto janë fjalët e besëlidhjes që Zoti i urdhëroi Moisiut të përfundonte me bijtë e Izraelit në vendin e Moabit, përveç besëlidhjes që kishte bërë me ta në malin Horeb.

Moisiu thirri tërë Izraelin dhe u tha atyre: “Ju keni parë të gjitha ato që i ka bërë Zoti në Egjipt para syve tuaj Faraonit, të gjithë shërbëtorëve të tij dhe tërë vendit;

sytë tuaj kanë parë mjerimet e mëdha, shenjat dhe mrekullitë e mëdha;

por deri sot Zoti nuk ju ka dhënë zemër për të kuptuar, sy për të parë dhe veshë për të dëgjuar.

Unë ju kam udhëhequr dyzet vjet në shkretëtirë; rrobat tuaja nuk ju janë prishur në trup, sandalet tuaja nuk iu janë konsumuar në këmbët tuaja.

Nuk keni ngrënë bukë dhe nuk keni pirë verë as pije dehëse, me qëllim që të njihnit që unë jam Zoti, Perëndia juaj.

Kur arritët në këtë vend, Sihoni, mbret i Heshbonit, dhe Ogu, mbret i Bashanit, dolën kundër nesh për të luftuar, por ne i mundëm,

pushtuam vendin e tyre dhe ia dhamë në trashëgimi Rubenitëve, Gaditëve dhe gjysmës së fisit të Manasit.

Respektoni, pra, fjalët e kësaj besëlidhje dhe zbatojeni në praktikë, me qëllim që të keni mbarësi në çdo gjë që bëni.

10 Sot të gjithë ju ndodheni para Zotit, Perëndisë tuaj: krerët tuaj, fiset tuaja, pleqtë tuaj, zyrtarët tuaj, tërë njerëzit e Izraelit,

11 fëmijët tuaj, gratë tuaja dhe i huaji që ndodhet në mes të kampit tënd, duke filluar nga ai që çan drutë deri tek ai që nxjerr ujin tënd,

12 për të hyrë në besëlidhjen e Zotit, Perëndisë tënd, dhe në betimin e tij që Zoti, Perëndia yt, bën sot me ty,

13 për të të vendosur sot si popull të tij dhe për të qënë Perëndia yt, ashtu si të tha dhe si iu betua etërve të tu, Abrahamit, Isakut dhe Jakobit.

14 Unë e bëj këtë besëlidhje dhe këtë betim jo vetëm me ju,

15 por edhe me ata që janë sot para Zotit, Perëndisë tonë, dhe me ata që sot nuk janë këtu me ne.

16 (Sepse ju e dini që kemi banuar në vendin e Egjiptit dhe kemi kaluar në mes të kombeve, që u keni rënë mes për mes;

17 dhe keni parë gjërat e tyre të neveritshme, idhujt e tyre prej druri, guri, argjendi dhe ari, që ndodhen në mes tyre).

18 Të mos ketë midis jush burrë a grua, familje a fis zemra e të cilit të largohet nga Zoti, Perëndia ynë, dhe të shkojë t’u shërbejë perëndive të këtyre kombeve, nuk duhet të ketë midis jush asnjë rrënjë që prodhon helmin dhe pelinin;

19 dhe të mos ndodhë që dikush, duke dëgjuar fjalët e këtij betimi, të vetëbekohet në zemër të tij, duke thënë: “Do të kem paqe, edhe sikur të eci me kokëfortësinë e zemrës sime,” ashtu si i dehuri të mund të përfshihej të përkorin.

20 Por Zoti nuk mund ta falë kurrë; por në këtë rast zemërimi i Zotit dhe zilia e tij do të ndizen kundër tij dhe të gjitha mallkimet që janë shkruar në këtë libër do të bien mbi të, dhe Zoti do ta fshijë emrin e tij poshtë qiellit;

21 Zoti do ta veçojë për ta shkatërruar nga të gjitha fiset e Izraelit, simbas të gjitha mallkimeve të besëlidhjes së shkruar në këtë libër të ligjit.

22 Kështu brezi i ardhshëm i bijve tuaj që do të dalë pas jush dhe i huaji që do të vijë nga një vend i largët, duke parë mjerimet dhe lëngatat që Zoti u ka dhënë, do të thonë:

23 “Tërë toka është squfur, kripë, zjarrmi; nuk është mbjellë, nuk prodhon më asgjë dhe në të nuk rritet asnjë bar, ashtu si pas shkatërrimit të Sodomës, të Gomorrës, të Admahut dhe të Tseboimit, që Zoti shkatërroi gjatë zemërimit dhe tërbimit të tij”.

24 Po, të gjitha kombet do të thonë: “Pse Zoti e trajtoi kështu këtë vend? Pse ky zemërim kaq i madh?”.

25 Atëherë do të përgjigjen: “Sepse kanë braktisur besëlidhjen e Zotit, Perëndisë së etërve të tyre, që ai lidhi me ta kur i nxori nga vendi i Egjiptit;

26 sepse ata shkuan t’u shërbejnë perëndive të tjera dhe ranë përmbys përpara tyre, perëndi që ata nuk i njihnin dhe që Zoti nuk u kishte dhënë atyre.

27 Për këtë arësye u ndez zemërimi i Zotit kundër këtij vendi, me qëllim që të gjitha mallkimet e shkruara në këtë libër të binin mbi të;

28 dhe Zoti i shkëputi nga vendi i tyre me zemërim, me tërbim dhe me indinjatë të madhe dhe i hodhi në një vend tjetër, siç po ndodh sot”.

29 Gjërat e fshehta i përkasin Zotit, Perëndisë tonë, por gjërat e shfaqura janë për ne dhe për bijtë tanë për gjithnjë, me qëllim që të zbatojmë në praktikë tërë fjalët e këtij ligji”.

30 “Kështu, kur të të kenë rënë në kurriz tërë këto gjëra, bekimi dhe mallkimi që unë të kam vënë përpara, dhe ti do t’ua kujtosh të gjitha kombeve në mes të të cilëve Zoti, Perëndia yt, do të të ketë dëbuar,

dhe kur të kthehesh tek Zoti, Perëndia yt, dhe t’i bindesh zërit të tij, ti dhe bijtë e tu, me gjithë zemër e më gjithë shpirt, duke respektuar tërë ato që po të urdhëroj sot,

Zoti, Perëndia yt, do të të kthejë nga skllavëria, do të ketë mëshirë për ty dhe do të të mbledhë përsëri nga radhët e të gjithë popujve, ndër të cilët Zoti, Perëndia yt, të kishte shpërndarë.

Edhe sikur të kesh qenë përzënë në skajin e qiellit, Zoti, Perëndia yt, do të të mbledhë dhe do të marrë që andej.

Zoti, Perëndia yt, do të të rikthejë në vendin që etërit e tu kanë zotëruar dhe ti do ta zotërosh atë; dhe ai do të të bëjë të mira dhe do të të shumëzojë më tepër se etërit e tu.

Zoti, Perëndia yt, do ta rrethpresë zemrën tënde dhe zemrën e pasardhësve të tu, që ti ta duash Zotin, Perëndinë tënd, me gjithë zemër e me gjithë shpirt, dhe kështu ti të jetosh.

Dhe Zoti, Perëndia yt, do t’i lëshojë tërë këto mallkime mbi armiqtë e tu dhe mbi tërë ata që të urrejnë dhe të kanë persekutuar.

Ti përkundrazi do të kthehesh dhe do t’i bindesh zërit të Zotit dhe do të zbatosh në praktikë të gjitha urdhërimet që të porosit sot.

Zoti, Perëndia yt, do të sjellë shumë mbarësi në gjithë veprën e duarve të tua, në frytin e barkut tënd, në frytin e bagëtisë sate dhe në frytin e tokës sate; sepse Zoti do të kënaqet përsëri duke të të bërë të mirën, ashtu si u kënaq kur ua bëri etërve të tu,

10 sepse do t’i bindesh zërit të Zotit, Perëndisë tënd, duke respektuar urdhërimet dhe statutet e tij që janë shkruar në këtë libër të ligjit, sepse do të jesh rikthyer tek Zoti, Perëndia yt, me gjithë zemër dhe me gjithë shpirt.

11 Ky urdhërim që të jap sot nuk është shumë i vështirë për ty, as shumë larg teje.

12 Nuk është në qiell, që ti të thuash: “Kush do të ngjitet në qiell që të na e sjellë dhe ta dëgjojmë, me qëllim që ta zbatojmë në praktikë?”.

13 Dhe nuk është matanë detit që ti të thuash: “Kush do të kalojë për ne matanë detit që të na e sjellë dhe ta dëgjojmë, në mënyrë që ta zbatojmë në praktikë?”.

14 Por fjala është shumë afër teje; është në gojën tënde dhe në zemrën tënde, që ti ta zbatosh në praktikë.

15 Shiko, unë vë sot para teje jetën dhe të mirën, vdekjen dhe të keqen;

16 prandaj unë të urdhëroj ta duash Zotin, Perëndinë tënd, të ecësh në rrugët e tij, të respektosh urdhërimet, statutet dhe dekretet e tij, që ti të jetosh dhe të shumëzohesh; dhe Zoti, Perëndia yt, do të të bekojë në vendin që ti po shkon për ta pushtuar.

17 Por në qoftë se zemra jote shikon gjetiu dhe ti nuk bindesh dhe e lë veten të biesh përmbys para perëndive të tjera dhe t’u shërbesh atyre,

18 unë ju deklaroj sot që me siguri keni për t’u zhdukur, që nuk do t’i zgjatni ditët tuaja në vendin ku po gatiteni të hyni për ta pushtuar, duke kaluar Jordanin.

19 Unë marr sot si dëshmitarë kundër teje qiellin dhe tokën, që unë të kam vënë përpara jetës dhe vdekjes, bekimit dhe mallkimit; zgjidh, pra, jetën që të mund të jetoni ti dhe pasardhësit e tu,

20 dhe të mund ta duash Zotin, Perëndinë tënd, t’i bindesh zërit të tij dhe të qendrosh i lidhur ngushtë me të, sepse ai është jeta jote dhe gjatësia e ditëve të tua, kështu që ti të mund të jetosh në vendin që Zoti u betua t’u japë etërve të tu: Abrahamit, Isakut dhe Jakobit”.

31 Moisiu shkoi dhe u drejtoi edhe këto fjalë tërë Izraelit,

dhe u tha banorëve të tij: “Unë jam sot njëqind e njëzet vjeç, nuk mundem më të hyj dhe të dal; përveç kësaj Zoti më ka thënë: “Ti nuk do ta kalosh Jordanin”.

Zoti, Perëndia yt, do të kalojë ai vetë para teje, dhe do të shkatërrojë para teje këto kombe, dhe ti do t’i shpronësosh; vetë Jozueu do të kalojë para teje, siç e ka thënë Zoti.

Dhe Zoti do t’u bëjë atyre atë që u bëri Sihonit dhe Ogut, mbretit të Amorejve, dhe vendit të tyre, kur i shkatërroi.

Zoti do t’i kalojë në pushtetin tuaj dhe ju do t’i trajtoni sipas të gjitha urdhërave që ju kam dhënë.

Tregohuni të fortë dhe trima, mos kini frikë, mos u trembni prej tyre, sepse Zoti, Perëndia yt, është ai vetë që ecën me ty; ai nuk do të të lërë dhe nuk ka për të të braktisur”.

Pastaj Moisiu thirri Jozueun dhe i tha në prani të të gjithë Izraelit: Qofsh i fortë dhe trim, sepse ti do të hysh bashkë me këtë popull në vendinn që Zoti u betua t’u japë etërve të tyre, dhe ti do t’ua japësh atyre si trashëgimi

Përveç kësaj Zoti vetë ecën para teje; ai do të jetë me ty; nuk do të të lërë dhe s’ka për të të braktisur; mos u tremb dhe mos u tmerro”.

Kështu Moisiu e shkrojti këtë ligj dhe ia dorëzoi priftërinjve, bijve të Levit, që mbajnë arkën e besëlidhjes të Zotit dhe të gjithë pleqve të Izraelit.

10 Pastaj Moisiu i urdhëroi ata, duke thënë: “Në fund të çdo shtatë vjetve, në kohën e caktuar si vit i faljes, në festën e Kasolleve,

11 kur tërë Izraeli do të vijë të paraqitet përpara Zotit, Perëndisë tënd, në vendin që ai ka zgjedhur, do të lexosh këtë ligj para tërë Izraelit, në veshët e tërë izraelitëve.

12 Do të mbledhësh popullin, burra, gra, fëmijë dhe të huajin që ndodhet brenda portave të tua, që të dëgjojnë dhe të mësojnë të kenë frikë nga Zoti, Perëndia juaj, dhe të kenë kujdes të zbatojnë në praktikë tërë fjalët e këtij ligji,

13 kështu që bijtë e tyre që akoma nuk e njohin, të dëgjojnë Zotin, Perëndinë tuaj, dhe të kenë frikë prej tij, për të gjithë kohën që do të jetoni në vendin që ju po hyni ta pushtoni, duke kaluar Jordanin”.

14 Pastaj Zoti i tha Moisiut: “Ja, dita e vdekjes sate po afrohet; thirr Jozueun dhe paraqituni në çadrën e mbledhjes me qëllim që të mund t’i jap urdhrat e mia”. Moisiu dhe Jozueu shkuan, pra, të paraqiten në çadrën e mbledhjes.

15 Dhe Zoti u paraqit në çadër në një shtyllë reje; dhe shtylla e resë u ndal në hyrjen e çadrës.

16 Dhe Zoti i tha Moisiut: “Ja, ti do të shkosh të flesh bashkë me etërit e tu; dhe ky popull do të çohet dhe do të kurvërohet duke shkuar pas perëdive të huaja të vendit në mes të të cilit po shkon; dhe do të më braktisë mua dhe do të shkelë besëlidhjen që kam lidhur me të.

17 Dhe atë ditë zemërimi im do të ndizet kundër tyre; unë do t’i braktis dhe do t’u fsheh fytyrën time, dhe do të përpihen. Shumë të këqia dhe fatkeqësi do t’u bien përsipër; dhe atë ditë ata do të thonë: “Këto të këqia na kanë zënë ndofta sepse Perëndia ynë nuk është në mes nesh?”.

18 Atë ditë unë do ta fsheh me siguri fytyrën time për shkak të tërë të këqiave që ata kanë bërë, duke iu drejtuar perëndive të tjera.

19 Tani shkruajeni për ju këtë kantik dhe mësojuani bijve të Izraelit; vëreni në gojën e tyre, me qëllim që ky kantik të më shërbejë si dëshmi kundër bijve të Izraelit.

20 Kur t’i kem futur në vendin, që u premtova etërve të tyre me betim, aty ku rrjedh qumësht dhe mjaltë, dhe ata të kenë ngrënë, të jenë ngopur dhe të kenë vënë dhjamë, atëherë do t’u drejtohen perëndive të tjera për t’i shërbyer, dhe do të përçmojnë dhe do të shkelin besëlidhjen time.

21 Atëherë do të ndodhë që kur shumë të këqia dhe fatkeqësi do t’u kenë zënë, ky himn fetar do të dëshmojë kundër tyre, sepse ai nuk do të harrohet dhe do të mbetet mbi buzët e pasardhësve të tyre; unë njoh në fakt qëllimet e tyre, edhe para se t’i kem futur në vendin që u kam premtuar me betim”.

22 Kështu Moisiu e shkrojti atë ditë këtë kantik dhe ua mësoi bijve të Izraelit.

23 Pastaj i dha urdhërat e tij Jozueut, birit të Nunit dhe i tha: “Të jesh i fortë dhe trim, sepse ti do t’i futësh bijtë e Izraelit në vendin që u kam premtuar me betim; dhe unë do të jem me ty”.

24 Kur Moisiu mbaroi së shkruari në një libër tërë fjalët e këtij ligji,

25 u dha këtë urdhër Levitëve që mbanin arkën e besëlidhjes të Zotit, duke thënë:

26 “Merreni këtë libër të ligjit dhe vendoseni në arkën e besëlidhjes të Zotit, Perëndisë tuaj, me qëllim që të mbetet si një dëshmi kundër teje;

27 sepse unë e njoh frymën tëndë rebele dhe fortësinë e qafës sate. Ja, sot kur akoma jam i gjallë midis jush, ju u bëtë rebelë kundër Zotit; aq më tepër do të bëheni mbas vdekjes sime!

28 Mblidhni pranë meje të gjithë pleqtë e fiseve tuaja dhe zyrtarët tuaj, me qëllim që të dëgjojnë këto fjalë dhe unë të thërras të dëshmojnë kundër tyre qiellin dhe tokën.

29 Sepse unë e di që, mbas vdekjes sime, do të korruptoheni plotësisht dhe do të largoheni nga rruga që ju kam urdhëruar, dhe ditët e fundit do të goditeni nga fatkeqësia, sepse keni për të bërë atë që është e keqe për sytë e Zotit, duke provokuar indinjatën e tij me veprën e duarve tuaja”.

30 Kështu Moisiu, në veshët e të gjithë asamblesë së Izraelit, shqiptoi fjalët e këtij kantiku deri në fund.