Skip to content
Home » Nga Librat » Page 6

Nga Librat

19 Zoti u foli akoma Moisiut dhe Aaronit, duke u thënë:

“Ky është statuti i ligjit që Zoti ka urdhëruar, duke thënë: “U thuaj bijve të Izraelit që të sjellin një mëshqerrë të kuqe, pa të meta dhe mbi të cilën nuk është vënë asnjë zgjedhë.

Do t’ia jepni priftit Eleazar, që do ta çojë jashtë kampit dhe do ta therë në praninë tuaj.

Prifti Eleazar do të marrë me gisht pak gjak të saj dhe do ta spërkasë shtatë herë përpara çadrës së mbledhjes;

pastaj do t’i vihet zjarri mëshqerrës para syve të tij; lëkura e saj, mishi i saj, gjaku i saj dhe ndyrësirat e saj do të digjen.

Pastaj prifti do të marrë dru kedri, hisopi dhe copë të kuqërremtë dhe do t’i hedhë në mes të zjarrit që po djeg mëshqerrën.

Pastaj prifti do të lajë rrobat e tij dhe trupin me ujë dhe do të kthehet në kamp; prifti do të jetë i papastër deri në mbrëmje.

Edhe ai që ka djegur mëshqerrën do të lajë rrobat e tij dhe trupin me ujë, dhe do të jetë i papastër deri në mbrëmje.

Një njeri i pastër do të mbledhë hirin e mëshqerrës dhe do ta depozitojë jashtë kampit në një vend të pastër, ku do të ruhet për asamblenë e bijve të Izraelit si një pastrim: shërben për t’u pastruar nga mëkati.

10 Dhe ai që ka grumbulluar hirin e mëshqerrës, duhet të lajë rrobat e tij dhe do të jetë i papastër deri në mbrëmje. Ky do të jetë një statut i përjetshëm për bijtë e Izraelit dhe për të huajin që banon midis tyre.

11 Kush prek një trup të vdekur të çfarëdo personi do të jetë i papastër shtatë ditë.

12 Ai do të pastrohet me atë ujë ditën e tretë dhe të shtatë, dhe do të jetë i pastër; por në rast se nuk pastrohet ditën e tretë dhe të shtatë, nuk do të jetë i pastër.

13 Kushdo që prek trupin e një personi të vdekur dhe nuk pastrohet, ndot banesën e Zotit, ky person do të shfaroset nga gjiri i Izraelit. Me qenë se uji i pastrimit nuk u spërkat mbi të, ai është i papastër; papastërtia e tij është akoma mbi të.

14 Ky është një ligj për atë që vdes në një çadër: kushdo që hyn në çadër dhe kushdo që është në çadër do të jenë të papastër për shtatë ditë.

15 Dhe çdo enë e hapur, mbi të cilën nuk është vënë kapaku, do të jetë e papastër.

16 Kushdo që në fushë prek një person të vrarë me shpatë ose që ka pësuar vdekje të natyrshme, ose prek një kockë njeriu ose një varr, do të jetë i papastër për shtatë ditë.

17 Dhe për një person të papastër do të merret hiri i viktimës së djegur për ta pastruar nga mëkati dhe nga një enë do të derdhet mbi të ujë i rrjedhshëm;

18 pastaj një njeri i pastër do të marrë hisop, do ta fusë në ujë dhe do të spërkatë çadrën, të gjitha veglat, tërë personat që ndodhen aty dhe atë që ka prekur një kockë, ose të vrarin ose të vdekurin nga vdekja e natyrshme ose varrin.

19 Njeriu i pastër do të spërkatë të papastrin ditën e tretë dhe ditën e shtatë; ditën e shtatë njeriu i papastër do të pastrohet; do të lajë rrobat dhe veten e tij me ujë, dhe në mbrëmje do të jetë i pastër.

20 Por ai që është i papastër dhe nuk pastrohet, do të shfaroset në mes të asamblesë, sepse ka ndotur shenjtëroren e Zotit; uji i pastrimit nuk është spërkatur mbi të; ai është i papastër.

21 Ky do të jetë një statut i përjetshëm. Ai që spërkat ujin e pastrimit do të lajë rrobat e tij, dhe ai që prek ujin e pastrimit do të jetë i papastër deri në mbrëmje.

22 Çdo gjë që prek personi i papastër do të jetë e papastër; dhe personi që prek atë do të jetë i pastër deri në mbrëmje””.

16 Zoti i foli Moisiut mbas vdekjes së dy bijve të Aaronit, që vdiqën kur u paraqitën para Zotit me zjarr të ndaluar.

Zoti i tha Moisiut: “Foli Aaronit, vëllait tënd, dhe thuaji të mos hyjë në çfarëdo kohe në shenjtërore, përtej perdes, përpara pajtuesit që ndodhet mbi arkë, që të mos vdesë, sepse unë do të shfaqem në renë mbi pajtuesin.

Aaroni do të hyjë në shenjtërore në këtë mënyrë; do të marrë një dem të vogël për flijimin për mëkatin dhe një dash për olokaustin.

Do të veshë tunikën e shenjtë prej liri dhe do të mbajë mbi trupin e tij pantallona prej liri; do të ngjeshë brezin prej liri dhe do ta vërë mbi kokë çallmën prej liri. Këto janë veshjet e shenjta; ai do t’i veshë pasi ta ketë larë trupin me ujë.

Nga asambleja e bijve të Izraelit do të marrë dy cjep për flijimin e mëkatit dhe një dash për olokaustin.

Aaroni do të ofrojë demin e vogël për flijimin e mëkatit, që e ka për vete, dhe do të bëjë shlyerjen për vete dhe për shtëpinë e tij.

Pastaj do t’i marrë të dy cjeptë dhe do t’i paraqesë përpara Zotit në hyrje të çadrës së mbledhjes.

Aaroni do t’i hedhë në short dy cjeptë: njëri prej tyre do të caktohet për Zotin dhe tjetri do të shërbejë si cjap për shlyerjen e fajit.

Aaroni do të afrojë cjapin e caktuar për Zotin dhe do ta ofrojë si flijim për mëkatin;

10 por cjapi i caktuar si cjap fajshlyes do të paraqitet i gjallë para Zotit, me qëllim që mbi të të bëhet shlyerja dhe për ta çuar pastaj në shkretëtirë si cjap fajshlyes.

11 Aaroni do të ofrojë, pra, demin e vogël të flijimit për mëkatin dhe do të bëjë shlyerjen për vete dhe për shtëpinë e tij; dhe do ta therë demin e vogël të flijimit për mëkatin për vete.

12 Pastaj do të marrë një temjanicë plot me qymyrë të ndezur të marrë nga altari përpara Zotit dhe do t’i ketë duart e tij të mbushura me temjan të parfumuar në pluhur, dhe do të çojë çdo gjë matanë velit.

13 Do ta vërë temjanin mbi zjarr përpara Zotit, me qëllim që reja e temjanit të mbulojë pajtuesin që është mbi dëshminë; kështu ai nuk do të vdesë.

14 Pastaj do të marrë ca gjak të demit të vogël dhe do ta spërkatë me gishtin e tij mbi pajtuesin nga ana lindore, do të spërkatë shtatë herë edhe pak gjak me gishtin e tij përpara pajtuesit.

15 Pastaj do të therë cjapin e flijimit për mëkatin, që është për popullin, dhe do të çojë gjakun e tij matanë velit; dhe do të bëjë me këtë gjak atë që ka bërë me gjakun e demit të vogël; do ta spërkatë mbi pajtuesin dhe para pajtuesit.

16 Kështu do të bëjë shlyerjen për shenjtëroren, për shkak të papastërtive të bijve të Izraelit, të shkeljeve të tyre dhe të të gjitha mëkateve të tyre. Do të veprojë në të njëjtën mënyrë për çadrën e mbledhjes, që mbetet midis tyre, në mes të papastërtive të tyre.

17 Në çadrën e mbledhjes, kur ai do të hyjë në shenjtëroren për të bërë shlyerjen, nuk do të ketë njeri, deri sa ai të ketë dalë dhe të ketë bërë shlyerjen për veten, për shtëpinë e tij dhe për tërë asamblenë e Izraelit.

18 Ai do të dalë drejt altarit që ndodhet para Zotit dhe do të bëjë shlyerjen për të: do të marrë ca gjak nga demi i vogël dhe ca gjak nga cjapi dhe do ta vërë mbi brirët e altarit rreth e qark.

19 Pastaj do të spërkatë ca gjak mbi të me gishtin e tij shtatë herë me radhë; kështu do ta pastrojë dhe do ta shenjtërojë nga papastërtitë e bijve të Izraelit.

20 Kur të ketë mbaruar së kryeri shlyerjen për shenjtëroren, për çadrën e mbledhjes dhe për altarin, do të afrojë cjapin e gjallë.

21 Aaroni do të vendosë të dyja duart e tij mbi kokën e cjapit të gjallë dhe do të rrëfejë mbi të tërë padrejtësitë e bijve të Izraelit, të gjitha shkeljet e tyre, tërë mëkatet e tyre, dhe do t’i vërë mbi kokën e cjapit; pastaj do ta çojë në shkretëtirë me anë të një njeriu të zgjedhur enkas.

22 Cjapi do të mbartë mbi vete në tokë të vetmuar të gjitha padrejtësitë e tyre dhe ai njeri do ta lërë të shkojë në shkretëtirë.

23 Pastaj Aaroni do të hyjë në çadrën e mbledhjes, do të zhveshë rrobat e tij prej liri që kishte veshur për të hyrë në shenjtërore dhe do t’i lërë aty.

24 Do të lajë trupin e tij me ujë në një vend të shenjtë, do të veshë rrobat e tij dhe do të dalë për të ofruar olokaustin e tij dhe olokaustin e popullit, dhe do të bëjë shlyerjen për vete dhe për popullin.

25 Pastaj do të tymosë mbi altar dhjamin e flijimit për mëkatin.

26 Ai që e ka lëshuar cjapin, e zgjedhur si cjap fajshlyes, do të lajë rrobat e tij dhe trupin e tij me ujë dhe, mbas kësaj mund të kthehet në kamp.

27 Do të çohen pas kësaj jashtë kampit demi i vogël i flijimit për mëkatin dhe cjapi i flijimit për mëkatin, gjaku i të cilit është çuar në shenjtërore për të bërë shlyerjen; dhe do të djegin në zjarr lëkurët, mishin dhe ndyrësitë e tyre.

28 Pastaj ai që i djeg do të lajë rrobat dhe trupin e tij me ujë; pas kësaj, ai mund të kthehet në kamp.

29 Ky do të jetë për ju një ligj i përjetshëm: në muajin e shtatë, ditën e dhjetë të muajit, do të përulni shpirtrat tuaj dhe nuk do të kryeni asnjë punë, as ai që ka lindur në vend as i huaji që banon midis jush.

30 Sepse atë ditë prifti do të bëjë shlyerjen për ju, për t’ju pastruar, me qëllim që të jeni të pastruar nga tërë mëkatet tuaja përpara Zotit.

31 Éshtë për ju një e shtunë madhështore pushimi dhe ju do të përulni shpirtrat tuaj; është një ligj i përjetshëm.

32 Prifti, që është vajosur dhe që është shenjtëruar për të shërbyer si prift në vend të atit të tij, do të bëjë shlyerjen dhe do të veshë rrobat prej liri, rrobat e shenjta.

33 Ai do të bëjë shlyerjen për shenjtëroren e shenjtë; do të bejë shlyerjen për çadrën e mbledhjes dhe për altarin, do të bëjë njëkohësisht shlyerjen për priftërinjtë dhe për tërë popullin e asamblesë.

34 Ky do të jetë për ju një ligj i përjetshëm, për të shlyer mëkatet e bijve të Izraelit për të gjitha mëkatet e tyre, një herë në vit”. Dhe Moisiu bëri ashtu siç e kishte urdhëruar Zoti.

Kur’ani- Sureja 37: 102-110 (Saffat)

Tevrati: Zanafilla 22:1-18

Dhe kur arriti ai (djalli) që së bashku me të (me Ibrahimin) të angazhohet në punë, ai (Ibrahimi) tha: “O djalli im, unë kam parë (jam urdhëruar) në ëndërr të pres ty. Shiko pra, çka mendon ti?” Ai tha: “O babai im, punoje atë që urdhërohesh, e ti do të më gjesh mua, nëse do All-llahu, prej të durueshmëve!”
105. Ti tashmë e zbatove ëndrrën! Ne kështu i shpërblejmë të mirët!

106. Vërtet, kjo ishte sprovë e qartë.

107. Ne e shpaguam atë me një të therrur (kurban) të rëndësishëm.

108. Dhe ndaj tij Ne lamë përkujtim të mirë ndër popujt e ardhshëm.

109.Selam (shpëtim e paqe) pastë Ibrahimi!

110. Kështu, në këtë mënyrë Ne i shpërblejmë bamirësit.

22 Mbas këtyre gjërave Perëndia e vuri në provë Abrahamin dhe i tha: Abraham!!” Ai u përgjegj: “Ja ku jam”.

Dhe Perëndia tha: “Merr tani birin tënd, birin tënd të vetëm, atë që ti do, Isakun, shko në vendin e Moriahve dhe sakrifikoje në një nga malet që do të të tregoj”.

Kështu Abrahami u ngrit herët në mëngjes, i vuri samarin gomarit, mori me vete dy shërbyes dhe të birin Isak dhe çau dru për sakrificën; pastaj u nis drejt vendit ku i kishte thënë Perëndia të shkonte.

Ditën e tretë Abrahami ngriti sytë dhe pa së largu vendin.

Atëherë Abrahami u tha shërbyesve të tij: “Rrini këtu bashkë me gomarin; unë dhe djali do të shkojmë deri atje dhe do të adhurojmë; pastaj do të kthehemi pranë jush”.

Kështu Abrahami mori drutë e sakrificës dhe i ngarkoi mbi Isakun, birin e tij; pastaj mori në dorë të vet zjarrin dhe u nisën rrugës që të dy.

Dhe Isaku i foli atit të tij Abraham dhe i tha: “Ati im!”. Abrahami iu përgjegj: “Ja ku jam, biri im”. Dhe Isaku tha: “Ja zjarri dhe druri, po ku është qengji për sakrificën?”.

Abrahami u përgjegj: “Djali im, Perëndia do ta sigurojë vetë qengjin për sakrificën”. Dhe vazhduan rrugën të dy bashkë.

Kështu arritën në vendin që Perëndia i kishte treguar dhe atje Abrahami ndërtoi altarin dhe sistemoi drutë; pastaj e lidhi Isakun, birin e tij, dhe e vendosi mbi altar sipër druve.

10 Pastaj Abrahami shtriu dorën dhe mori thikën për të vrarë të birin.

11 Por Engjëlli i Zotit thirri nga qielli dhe i tha: “Abraham, Abraham!”. Ai u përgjegj: “Ja ku jam”.

12 Engjëlli i tha: “Mos e zgjat dorën kundër djalit dhe mos i bëj asnjë të keqe. Tani e di mirë që ti i trembesh Perëndisë, se nuk më ke refuzuar birin tënd, të vetmin bir që ke”.

13 Atëherë Abrahami ngriti sytë dhe shikoi; dhe ja prapa tij një dash i zënë për brirësh në një kaçube. Kështu Abrahami shkoi, mori dashin e tij dhe e ofroi si sakrificë në vend të të birit.

14 Dhe Abrahami e quajti këtë vend Jehovah Jireh. Prandaj edhe sot e kësaj dite thuhet: “Do të furnizohet mali i Zotit”.

15 Engjëlli i Zotit e thirri për të dytën herë Abrahamin nga qielli dhe tha:

16 “Unë betohem për veten time, thotë Zoti, se ti e bëre këtë dhe nuk kurseve tët bir, të vetmin bir që ke,

17 unë me siguri do të të bekoj fort dhe do të shumoj pasardhësit e tu si yjet e qiellit dhe si rëra që ndodhet në brigjet e detit dhe trashëgimtarët e tu do të zotërojnë portat e armiqve të tij.

18 Dhe tërë kombet e tokës do të bekohen te pasardhësit e tu, sepse ti iu binde zërit tim”.