Mateu 21:23 – 23:39
Mateu 21;1-4623 Kur hyri në tempull, krerët e priftërinjve dhe pleqtë e popullit iu afruan, ndërsa i mësonte, dhe i thanë: “Me ç’pushtet i bën ti këto gjëra? Dhe kush ta ka dhënë këtë pushtet?.”
24 Dhe Jezusi, duke u përgjigjur, u tha atyre: “Edhe unë do t’ju bëj një pyetje, dhe në qoftë se ju do të më përgjigjeshit, unë gjithashtu do t’ju them me ç’pushtet i kryej këto gjëra.
25 Pagëzimi i Gjonit nga erdhi? Nga qielli apo nga njerëzit?.” Dhe ata arsyetonin midis tyre duke thënë: “Po t’i themi nga qielli, do të na thotë: Përse atëhërë nuk i besuat??”.
26 Në qoftë se i themi nga njerëzit, kemi frikë nga turma, sepse të gjithë e konsiderojnë Gjonin profet.”
27 Dhe iu përgjigjën Jezusit duke thënë: “Nuk e dimë.” Atëhërë ai u tha atyre: “As unë nuk do t’ju them me ç’pushtet i bëj këto gjëra”.
28 “Ç’mendoni? Një njeri kishte dy bij dhe duke iu drejtuar të parit tha: Bir, shko sot të punosh në vreshtin timm”;
29 por ai u përgjigj dhe tha: “Nuk dua”; por më vonë, i penduar, shkoi.
30 Pastaj iu kthye të dytit dhe i tha të njëjtën gjë. Dhe ai u përgjigj dhe tha: “Po, imzot, do ta bëj,” por nuk shkoi.
31 Cili nga të dy e kreu vullnetin e të atit?.” Ata i thanë: “I pari.” Jezusi u tha atyre: “Në të vërtetë ju them se tagrambledhësit dhe prostitutat hyjnë para jush në mbretërinë e qiejve.
32 Sepse Gjoni erdhi tek ju në rrugën e drejtësisë, dhe iu nuk i besuat, ndërsa tagrambledhësit dhe prostitutat i besuan; as mbasi i keni parë këto gjëra, nuk u penduat për t’i besuar.”
33 “Dëgjoni një shëmbëlltyrë tjetër: Ishte një pronar shtëpie, i cili mbolli një vresht, e rrethoi me gardh, gërmoi një vend ku të shtrydhte rrushin, ndërtoi një kullë dhe, mbasi ua besoi disa vreshtarëve, u nis në një vend të huaj.
34 Dhe kur erdhi koha e të vjelave, ai dërgoi shërbëtorët e vet te vreshtarët, për të marrë frutat e tij,
35 por vreshtarët i kapën shërbëtorët e tij, njërin e rrahën, një tjetër e vranë dhe një tjetër e vranë me gurë.
36 Përsëri, ai dërgoi shërbëtorë të tjerë, më shumë se të parët, dhe këta vreshtarët i trajtuan në të njëjtën mënyrë.
37 Më në fund ai i dërgoi atyre birin e vet duke thënë: “Për djalin tim do të kenë respekt!”.
38 Por vreshtarët, kur e panë të birin, i thanë njeri tjetrit: “Ky është trashëgimtari; ejani, ta vrasim dhe marrim si pronë trashëgiminë e tij”.
39 Dhe e kapën, e nxorën jashtë nga vreshti dhe e vranë.
40 Tani, kur të vijë i zoti i vreshtit, çfarë do t’u bëjë këtyre vreshtarëve?.”
41 Ata i thanë: “Ai do t’i vrasë keqas ata faqezinj dhe do t’ua besojë vreshtin vreshtarëve të tjerë, të cilët do t’i japin prodhimet në kohën e vet.”
42 Jezusi u tha atyre: “A nuk keni lexuar kurrë në Shkrimet: “Guri, që ndërtuesit e nxorën të papërdorshëm, u bë guri i qoshes. Kjo është vepër e Zotit, dhe është e mrekullueshme në sytë tonë”?
43 Prandaj unë po ju them se juve do t’ju hiqet mbretëria e Perëndisë dhe do t’i jepet një kombi që do ta bëjë të japë fryt.
44 Dhe ai që do të bjerë mbi këtë gur do të bëhet copëcopë; dhe ai mbi të cilin do të bjerë ai do të jetë i thërrmuar.”
45 Dhe krerët e priftërinjve dhe farisenjtë, kur i dëgjuan shëmbëlltyrat e tij, e kuptuan se po fliste për ta.
46 Dhe kërkonin ta kapnin, por kishin frikë nga turmat, sepse ato e konsideronin profet.
22 Dhe Jezusi, nisi përsëri t’u flasë atyre me shëmbëlltyra, duke thënë:
2 “Mbretëria e qiejve i ngjan një mbreti, i cili përgatiti dasmën e të birit.
3 Dhe dërgoi shërbëtorët e vet për të thirrur të ftuarit në dasmë, por ata nuk deshën të vijnë.
4 Dërgoi përsëri shërbëtorë të tjerë duke thënë: “U thoni të ftuarve: Ja unë e kam shtruar drekën time, viçat e mi dhe bagëtia ime e majmur janë therur dhe gjithçka është gati; ejani në dasmë”.
5 Por ata, pa e përfillur, shkuan: dikush në arën e vet e dikush në punët e veta.
6 Dhe të tjerët, mbasi kapën shërbëtorët e tij, i shanë dhe i vranë.
7 Mbreti atëhërë, kur dëgjoi këtë, u zemërua dhe dërgoi ushtritë e veta për të shfarosur ata gjaksorë dhe dogji qytetin e tyre.
8 Atëherë u tha shërbëtorëve të vet: “Dasma është gati, por të ftuarit nuk ishin të denjë.
9 Shkoni, pra, në udhëkryqe dhe ftoni në dasmë këdo që të gjeni.”
10 Dhe ata shërbëtorët dolën nëpër rrugë, mblodhën të gjithë ata që gjetën, të këqij dhe të mirë, dhe vendi i dasmës u mbush me të ftuar.
11 Atëherë mbreti hyri për të parë të ftuarit dhe gjeti aty një njeri që nuk kishte veshur rrobë dasme;
12 dhe i tha: “Mik, si hyre këtu pa pasur rrobë dasme?”. Dhe ai mbylli gojën.
13 Atëherë mbreti u tha shërbëtorëve: “Lidheni duar dhe këmbë, kapeni dhe hidheni në errësirat e jashtme. Atje do të jetë e qara dhe kërcëllim dhëmbësh”.
14 Sepse shumë janë të thirrur, por pak janë të zgjedhur.”
15 Atëherë farisenjtë u veçuan dhe bënin këshill se si ta zinin gabim në fjalë.
16 Dhe i dërguan dishepujt e tyre bashkë me herodianët, për t’i thënë: “Mësues, ne e dimë se ti je i vërtetë dhe që mëson udhën e Perëndisë në të vërtetë, pa marrë parasysh njeri, sepse ti nuk shikon pamjen e jashtme të njerëzve.
17 Na thuaj, pra: Si e mendon? A është e ligjshme t’i paguhet taksa Cezarit apo jo?.”
18 Por Jezusi, duke e njohur ligësinë e tyre, tha: “Pse më tundoni, o hipokritë?
19 Më tregoni monedhën e taksës.” Atëherë ata i treguan një denar.
20 Dhe ai u tha atyre: “E kujt është kjo fytyrë dhe ky mbishkrim?.”
21 Ata i thanë: “E Cezarit.” Atëherë ai u tha atyre: “Jepni, pra, Cezarit atë që i përket Cezarit dhe Perëndisë atë që i përket Perëndisë.”
22 Dhe ata, kur e dëgjuan këtë, u mrekulluan, e lanë, dhe ikën.
23 Po atë ditë erdhën tek ai saducenjtë, të cilët thonë se nuk ka ringjallje, dhe e pyetën
24 duke thënë: “Mësues, Moisiu ka thënë: “Në se dikush vdes pa lënë fëmijë, i vëllai le të martohet me gruan e tij, për t’i lindur trashëgimtarë vëllait të tij.
25 Tani ndër ne ishin shtatë vëllezër; i pari u martua dhe vdiq dhe duke mos pasë trashëgimtarë, ia la gruan vëllait të vet.
26 Kështu edhe i dyti dhe i treti, deri tek i shtati.
27 Në fund vdiq edhe gruaja.
28 Në ringjallje, pra, e kujt nga këta të shtatë do të jetë grua? Sepse të gjithë e patën gruaja.”
29 Por Jezusi, duke u përgjigjur u tha atyre: “Ju bëni gabim, sepse nuk e kuptoni as Shkrimin as pushtetin e Perëndisë.
30 Në ringjallje, pra, as martohen as martojnë, por ata do të jenë në qiell si engjëjt e Perëndisë.
31 Pastaj sa për ringjalljen e të vdekurve, a nuk e keni lexuar ç’ju ishte thënë nga Perëndia kur thotë:
32 “Unë jam Perëndia i Abrahamit, Perëndia i Isakut dhe i Jakobit”? Perëndia nuk është Perëndia i të vdekurve, por i të gjallëve.”
33 Dhe turmat, kur i dëgjuan këto gjëra, habiteshin nga doktrina e tij.
34 Atëherë farisenjtë, kur dëgjuan se ai ua kishte zënë gojën saducenjve, u mblodhën tok.
35 Dhe një nga ata, mësues i ligjit, e pyeti për të vënë në provë, duke thënë:
36 “Mësues, cili është urdhërimi i madh i ligjit?.”
37 Dhe Jezusi i tha: “”Duaje Zotin, Perëndinë tënde me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd dhe me gjithë mendjen tënde”.
38 Ky është urdhërimi i parë dhe i madhi.
39 Dhe i dyti, i ngjashëm me këtë, është: “Duaje të afërmin tënd porsi vetveten”.
40 Nga këto dy urdhërime varet i tërë ligji dhe profetët.”
41 Tani, kur u mblodhën farisenjtë, Jezusi i pyeti:
42 “Ç’u duket juve për Krishtin? Biri i kujt është?.” Ata i thanë: “I Davidit.”
43 Ai u tha atyre: “Si pra Davidi, në Frymë, e quan Zot, duke thënë:
44 “Zoti i ka thënë Zotit tim: Ulu në të djathtën time, deri sa unë t’i vë armiqtë e tu si stol të këmbëve të tua”?
45 Në qoftë se Davidi e quan Zot, si mund të jetë biri i tij?.”
46 Por asnjë nuk ishte në gjendje t’i përgjigjej; dhe, që nga ajo ditë, askush nuk guxoi ta pyesë më.
Mateu 22;1-46
23 Atëherë Jezusi u foli turmave dhe dishepujve të vet,
2 duke thënë: “Skribët dhe farisenjtë ulen mbi katedrën e Moisiut.
3 Zbatoni, pra, dhe bëni gjithçka t’ju thonë të zbatoni; por mos bëni si bëjnë ata, sepse thonë, por nuk e bëjnë.
4 Por lidhin barrë të rënda që barten me vështirësi, dhe ua vënë mbi kurrizin e njerëzve; Por ata nuk duan të luajnë vetë as me gisht.
5 Por të gjitha veprat e tyre i bëjnë për t’u dukur nga njerëzit; i zgjërojnë filateritë e tyre dhe i zgjatin thekët e rrobave të tyre.
6 Duan kryet e vendit në gostira dhe vendet e para në sinagoga,
7 si edhe përshëndetjet në sheshe dhe të quhen rabbi, rabbi nga njerëzit.
8 Por ju mos lejoni që t’ju quajnë rabbi, sepse vetëm një është mësuesi juaj: Krishti, dhe ju të gjithë jeni vëllezër.
9 Dhe përmbi tokë mos thirrni askënd atë tuaj, sepse vetëm një është Ati juaj, ai që është në qiej.
10 As mos lejoni që t’ju quajnë udhëheqës, sepse vetëm një është udhëheqësi juaj: Krishti.
11 Dhe më i madhi prej jush le të jetë shërbëtori juaj.
12 Sepse kush do të lartësojë veten, do të poshtërohet; dhe kush do të përulë veten, do të lartësohet.
13 Por mjerë ju, o skribë dhe farisenj hipokritë! Sepse mbyllni mbretërinë e qiejve para njerëzve; sepse as ju nuk hyni, as nuk i lini të hyjnë ata që janë për të hyrë.
14 Mjerë ju, o skribë dhe farisenj hipokritë! Sepse gllabëroni shtëpitë e të vejave dhe për sy e faqe bëni lutje të gjata; për këtë arsye ju do të pësoni një dënim më të rreptë.
15 Mjerë ju, o skribë dhe farisenj hipokritë! Sepse përshkoni detin dhe dheun për të bërë prozelitë, dhe kur ndokush bëhet i tillë, e bëni bir të Gehenas dhe dy herë më të keq se ju!
16 Mjerë ju, udhëheqës të verbër, që thoni: “Në qoftë se dikush betohet për tempullin, kjo s’është gjë; por në qoftë se betohet për arin e tempullit, është i detyruar”.
17 Të marrë dhe të verbër! Sepse cili është më i madh: ari apo tempulli që e shenjtëron arin?
18 Dhe në qoftë se dikush betohet për altarin, s’është gjë; por ne qoftë se betohet për ofertën që është mbi të, është i detyruar”.
19 Të marrë dhe të verbër! Sepse cila është më e madhe, oferta apo altari që e shenjtëron ofertën?
20 Ai, pra, që betohet për altarin, betohet për të dhe për çdo gjë që është përmbi të!
21 Ai që betohet për tempullin, betohet për të dhe për atë që banon atje.
22 Dhe ai që betohet për qiellin, betohet për fronin e Perëndisë dhe për atë që është ulur mbi të.
23 Mjerë ju, skribë dhe farisenj hipokritë! Sepse ju llogaritni të dhjetën e mëndrës, të koprës dhe të barit të gjumit, dhe lini pas dore gjërat më të rëndësishme të ligjit: gjyqin, mëshirën dhe besimin; këto gjëra duhet t’i praktikoni pa i lënë pas dore të tjerat.
24 Udhëheqës të verbër, që sitni mushkonjën dhe kapërdini devenë!
25 Mjerë ju, skribë dhe farisenj hipokritë! Sepse pastroni anën e jashtme të kupës dhe të pjatës, ndërsa përbrenda janë plot me grabitje dhe teprime.
26 Farise i verbër! Pastro më parë përbrenda kupën dhe pjatën, që edhe përjashta të jetë e pastër.
27 Mjerë ju, o skribë dhe farisenj hipokritë! Sepse u ngjani varreve të zbardhuara (me gëlqere), që nga jashtë duken të bukur, por brenda janë plot eshtra të vdekurish dhe gjithfarë papastërtish.
28 Kështu edhe ju nga jashtë u paraqiteni njerëzve si të drejtë; por përbrenda jeni plot hipokrizi dhe paudhësi.
29 Mjerë ju, o skribë dhe farisenj hipokritë! Sepse ndërtoni varrezat e profetëve dhe zbukuroni monumentet e të drejtëve,
30 dhe thoni: “Po të kishim jetuar në kohën e etërve tanë, nuk do të kishim bashkëpunuar me ta në vrasjen e profetëve”.
31 Duke folur kështu, ju dëshmoni kundër vetes suaj, se jeni bijtë e atyre që vranë profetët.
32 Ju e kaloni masën e etërve tuaj!
33 O gjarpërinj, o pjellë nëpërkash! Si do t’i shpëtoni gjykimit të Gehenas?
34 Prandaj, ja unë po ju dërgoj profetë, dijetarë dhe skribë; ju disa prej tyre do t’i vritni dhe do t’i kryqëzoni, disa të tjerë do t’i fshikulloni në sinagogat tuaja dhe do t’i persekutoni nga një qytet në tjetrin,
35 që të bjerë mbi ju gjithë gjaku i drejtë i derdhur mbi dhe, nga gjaku i të drejtit Abel, deri te gjaku i Zaharias, birit të Barakias, që ju e vratë ndërmjet tempullit dhe altarit.
36 Në të vërtetë po ju them se të gjitha këto gjëra do të bien mbi këtë brez.
37 Jeruzalem, Jeruzalem, që i vret profetët dhe i vret me gurë ata që të janë dërguar! Sa herë kam dashur t’i mbledh bijtë e tu ashtu si i mbledh klloçka zogjtë e vet nën krahë, por ju nuk deshët!
38 Ja, shtëpia juaj po ju lihet e shkretë.
39 Sepse unë po ju them, se tash e tutje nuk do të më shihni më deri sa të thoni: “I bekuar qoftë ai që vjen në emër të Zotit!”.”
Mateu 23;1-39